Nuk është më në ditët e lavdisë.
Dikur, kur luante në Serinë A tek Atalanta apo Torino, Etrit Berisha fitonte afër 1 milionë euro në sezon, dhe bënte pritje të mrekullueshme, por portieri shqiptar ende është i vlefshëm.
Pas shkëlqimit të këtyre muajve në Suedi tek Haken, klubi ka vendosur t’i japë një kontratë të re.
Sipas mediave në Skandinavi, gardiani 36-vjeçar do të ketë një marrëveshje deri në 2027, pra flitet edhe për dy edicione të tjera.
Ky zhvillim vjen vetëm dy ditë pasi Berisha u tregua vendimtar në Ligën e Europës duke pritur penallti e duke shënuar një penallti tjetër, ndërsa Haken eliminoi skuadrën më të madhe të Belgjikë, Anderlehtin, që ka në stol trajnerin shqiptar nga Kosova, Besnik Hasi.
Në maj të këtij viti, portieri i lindur në Prishtinë ishte sërish përcaktues dhe hero, duke i dhënë ekipit të tij Kupën e Suedisë.
Finalja ndaj Malmos atëherë nuk pati asnjë gol, ndërsa në serinë e 11-metërshave Berisha u tregua i jashtëzakonshëm.
Ai priti dy penallti të kundërshtarëve, dhe siç e ka zakon, shënoi edhe një gol nga pika e bardhë.
Natyrisht, ai nuk ka moshë për t’u kthyer në Serinë A, apo për të luajtur në elitën e Gjermanisë, Francës, Spanjës apo Anglisë, por gjithsesi mbetet i rëndësishëm, ndonëse rroga mesatare në ligën suedeze është rreth 4 000 euro në muaj./abcnews.al

