Berisha: Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021 nga Lulzim Basha

schedule12:38 - 24 Shtator, 2022

schedule 12:38 - 24 Shtator, 2022

Për Sali Berishën gabimi historik i Partisë Demokratike është bërë më 27 prill 2021 nga ish-drejtuesi i saj, Lulzim Basha. Berisha thotë se Basha duhet të kishte thirrur pikërisht atë ditë protestat për rrëzimin e Edi Ramës, i cili sapo kishte konfirmuar mandatin e tretë, ndërsa demokratët e quajnë ilegjitim dhe të vjedhur.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në Facebook, Berisha theksoi se Basha u mor peng nga Edi Rama dhe futi PD në një spirale shkatërrimtare.

Lexo edhe: Berisha: Protesta për të larguar Ramën, hapja e partisë po ndodh

“Revolta popullore ndaj këtij regjimi që nuk ka legjimitet është rruga kryesor për ta gjunjëzuar atë. Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021, kur pas atyre zgjedhjeve të dhunuara masivisht, kreu i saj dhe udhëheqja nuk thirri protesta për rrëzimin e Edi Ramës, por futi pasi ishte marrë peng nga Edi Rama, futi PD-në në një spirale shkatërrimtare, nga e cila u desh shumë kohë për të dalë”, tha ai.

Sipas ish-kryeministrit, PD nuk mund të zgjidhë problemet e tjera, pas zgjidhur më parë atë me Ramën.

“Sot gjykatat janë një degë e ekzekutivit. Problemi i PD është Edi Rama dhe pa zgjidhur problemin me Edi Ramën, nuk mund të zgjidhë problemet e tjera.

Prandaj ne kemi vendosur që këtë vjeshtë ta shndërrojmë në pranverën e protestave të mëdha”, tha ai.

Ftesë të hapur, Berisha iu bëri deputetëve që nuk i janë bashkuar. “Deputetë e PD janë të ftuar të bashkohen dhe të heqin dorë nga veglat e shëmtuara ku i vendosi Lulzim Basha. Unë i ftoj me zemër të hapur. Gjithë Shqipëria i shikon ku ata pa asnjë mandat partie bëhen shtojcë e grupit parlamentar të PD. Nëse deri dje mund të mos ishin të bindur se Basha ishte peng i Edi Ramës, besoj se sot nuk ka shqiptar që nuk e kupton që Basha ishte marrë peng për dosjen ruse. Mirëpres cilindo prej tyre që t’i bashkohet grupit”, tha ish-kryeministri. /abcnews.al