Mbështetësit e Berishës kanë shqyer derën kryesore të selisë së Partisë Demokratike duke u futur me forcë aty. Një numër i madh i tyre janë mbledhur para selisë së demokratëve ku një numër i konsiderueshëm u futën brenda.
Ata kërkojnë largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. Një ditë më parë, ish-kryeministri Berisha tha se do ta shoqëronin Bashën “miqësisht jashtë selisë së PD-së”.
Një pjesë e mbështetësve janë futur në katin e parë të selisë së PD-së, ku mungon ndriçimi, ndërsa dyert e tjera janë të mbyllura. Ata nuk po tentojnë të ngjiten në katin e sipërm pasi presin mbërritjen e Berishës në seli.
Më herët, ish-kryeministri Berisha ka kërkuar vetëpërmbajtje nga mbështetësit e tij pasi sipas tij lëvizja e tyre ishte paqësore. Ndërkohë që ish-kryeministri Berisha është futur në oborrin e PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha vijon normalisht mbledhjen në katin e dytë. /abcnews.al


