Berisha duhet vetëm të firmosë, Muriqin e duan në Premier League

schedule20:34 - 6 Dhjetor, 2019

schedule 20:34 - 6 Dhjetor, 2019

Bernard Berisha do ta vijojë karrierën në Rusi. Drejtuesit e Akhmat Grozny janë të bindur në cilësitë e anësorit të Kosovës dhe i kanë bërë gati kontratën e re. Vetë drejtori i përgjithshëm i klubit çeçen, Akhmed Aydamirov, e ka konfirmuar diçka të tillë.

“Në një të ardhme të afërt, kontrata me Bernard Berishën do të zgjatet. Kemi rënë dakord të nënshkruajmë një marrëveshje të re për tre vite”, është shprehur Aydamirov për “sportbox.ru”. Anësori ka munguar në ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, por shikohet si pjesë e rëndësishme e klubit që garon në Superligën ruse.

Artikulli për Bernard Berishën, i publikuar në “sportbox.ru”

MURIQI – Sulmuesi shtatlartë nga Prizreni shumë shpejt do të ndryshojë ekip. Fenerbahce do detyrohet ta shesë Muriqin, i cili në ndeshjen e sotme ndaj Genclerbirligi shënoi dy gola në fitoren 5-2 që arriti gjiganti turk.

Në stadium për të ndjekur sulmuesin kanë qenë skautet e tre klubeve të njohura: Leicester, Monaco dhe Eintracht Frankfurt. Muriqi e bëri detyrën e tij dhe tashmë mbetet të shihet kush do guxojë të nisë bisedimet me Fenerbahce, që do të kërkojë të përfitojë sa më shumë financiarisht.

Sulmuesi bëri një sezon të mirë vjet me Rizespor, duke shënuar 17 gola. Në verë e kërkuan shumë klube, por ishte Fenerbahce që e bleu dhe këtë sezon ka shënuar 9 gola. Paraqitjet e mira në kampionatin turk, por edhe me Kosovën, kanë bërë që Muriqi të ketë treg në shumë kampionate të rëndësishme. /abcnews.al