Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi në një intervistë për Abc News komentoi zhvillimet e fundit politike dhe vendimin për të kandiduar vetëm në zgjedhje. Ai u ndal edhe te thirrja që bëri ndaj shqiptarëve për të mos votuar kandidatin e koalicionit PD-PBDNJ, Fredi Belerin për bashkinë e Himarës.
I pyetur për “divorcin” me Berishën, Idrizi tha: “Nuk bëhet fjalë as për martesë apo divorc sepse ka kohë që ka marrë vendimin për të dal, bazohet edhe mbi faktin që në zgjedhjet e fundit janë hequr koalicionet dhe kemi vendosur të garojmë vetëm. Jam i keqardhur që Berisha bëri një koment për pozicionin e PDIU-së.
Ishte pa vend por që na duhej të jepej një përgjigje që duke i thënë të gjejnë gjuhën e përbashkët si detyrim brenda vetes së tyre. PDIU asnjëherë nuk ka ndërhyrë në përplasjet e brendshme të PD. Është një pozicion i kahershëm.
Sa i përket thirrjes të shqiptarëve të Çamërisë të mos votojnë pasardhësin e Napoleon Zervasi, komunizmin, Enver Hoxhën, shqiptarët e kanë të qartë se nëse Zervasi i vrau shqiptarët e Çamërisë, regjimi komunist i kohës i margjinalizoi deri në kufijtë e racizmit. Jemi të keqardhur që për 32 vjet asnjë parti se ka përmendur, dhe ta bëjë këtë çështje kombëtare.“, tha ai.
Duke u ndalur te thirrja që bëri për të mos votuar Fredi Belerin si kandidat të Himarës, Idrizi tha se nuk mund të kandidojë në një zonë që nuk është minoritare. Për më tepër, duke pasur parasysh edhe faktin që nisi fushatë me flamurin e Vorio-Epirit, Idrizi tha se Beleri ka qëndrimi antishqiptare.
“Ne asnjëherë nuk kemi bërë thirrje simpatizantëve të një partie se për këtë votojnë por jam i keqardhur ku në një marrëveshje me Berishën dhe Dulen, për t’i lënë PBDNJ kontraston në vendim për sa i përket Himarës. Himara nuk është zonë minoritare edhe këtë e ka thënë edhe Berisha para pak kohësh.
Nuk ka asnjë punë që në një bashki shqiptare të vendosësh një kandidat të minoritetit. Është e palogjishme që në një bashki jo minoritare të vendosësh një kandidat të minoritetit. Akoma lë më shumë për të dëshiruar që kandidati të jetë Fredi Beleri i cili është një person i njohur për rekorde dhe qëndrime antishqiptare.
Ai është i dënuar nga Athina për masakrën e Peshkëpisë, është dënuar nga Gjykata e Vlorës për dhunim të simboleve kombëtare dhe bën fushatë duke pasur flamurin e Vorio Epirit.”, tha ai.
Ai gjithashtu apeloi autoritetet që të merren me këtë çështje.
“T’ia vendosësh këtë njeri shqiptarëve nga një parti politike do të ishte lajthitje në rastin më të mirë dhe në më të keqin një gabim shumë i rëndë. Jo vetëm që nuk mund të vendoset një kandidat një njeri i tillë por i bëj thirrje Prokurorisë dhe shërbimit informativ kombëtar që të ndërhyjnë dhe të mos lejojnë shfaqje të tilla që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë.”, tha ai. /abcnews.al