Besimtarët ortodoksë kremtojnë këtë të dielë, Ditën e Pashkëve.
Në qytete të ndryshme, si Berati, Gjirokastra, Fieri e Korça dhjetëra besimtarë kanë kryer ritualet e festës edhe pse në kushtet e pandemisë Covid.
Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.
Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Me dhjetëra besimtarë kanë kryer ritualet në qytetin e Gjirokastrës pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ku është shpërndarë edhe Flaka e Shenjtë gjatë meshës së mbajtur. Ndryshe nga çdo vit, ajo është zhvilluar gjatë paradites së të dielës për shkak të zbatimit të protokollit të masave anti-Covid.
Në këtë ditë të shënuar besimtarët kanë uruar për më tepër lumturi, dashuri, begati e dritë ndaj njëri-tjetrit,ku mes tyre nuk kanë munguar as urimet e politikanëve.
“Gëzuar për shumë vjet, të jemi të gjithë të gëzuar e të bashkuar”, shprehet një besimtar.
Nga Korça vijnë urime për më shumë besim e shpresë për të gjithë shqiptarët.
“I uroj të gjithë shqiptarëve, besimtarëve shëndet e mbarësi”, thotë një qytetarë për gazetarë e ABC Ledjona Xheladinaj.
“Na vjen keq që tradita ka ndryshuar për shkak të pandemisë, por megjithatë i gjithë ky siklet që kemi pasur do të kalojë”, thotë një tjetër qytetare nga Korça.
/abcnews.al/