Beogradi i quan “histerike” reagimet në Prishtinë ndaj deklaratës së Vuçiçit

schedule22:23 - 12 Nëntor, 2020

schedule 22:23 - 12 Nëntor, 2020

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, i cili tha se në Kosovë mund të ketë konflikt nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Vuçiç tha se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiçit për “luftë të dhunshme”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë”, tha në anën tjetër Ministria e Jashtme e Kosovës, duke shtuar se “krahasimet e qëllimshme të Vuçiçit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se mesazhi kryesor i Vuçiçit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.

“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë njësoj të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, tha Petkoviç.

“Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petkoviç.

Konflikti në Nagorno Karabak

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.

Luftimet për kontrollin e këtij rajoni kanë shpërthyer qysh më 27 shtator, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.

Një luftë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes.

“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha të enjten Vuçiç. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!