Banorët e në Veri të Mitrovicës janë në gjendje alarmi pas deklaratave të Beogradit zyrtar, sipas të cilit, zona është në krizë humanitare. Prishtina reagoi duke thënë se kjo është vetëm një shpikje e radhës e Serbisë.
Institucionet e Kosovës ditë më parë paralajmëruan për një plan të Serbisë për inskenim të një krize humanitare në veri të Kosovës.
Më pas pasuan deklaratat e Beogradit se në veri po ndodh një krizë humanitare. Kjo ka alarmuar banorët serbë të këtyre komunave.
“Çfarë të them, kjo është katastrofë, po bëjnë shaka me njerëz, kjo është tmerr, asgjë, asgjë.
Disa gjëra gjenden, disa jo, e kështu.
Çfarë t’ju them, lokalet janë gjysmë të zbrazura, kam dashur të ajkë për fëmijë por nuk mund të gjej, edhe një ditë dy, nuk do të ketë produkte më”.
Pavarësisht deklarimeve të Beogradit për krizë humanitare në katër komunat veriore të Kosovës, vizita në markete të ndryshme të këtyre komunave dëshmon të kundërtën.
Pronarët e marketeve nuk na lejonin të filmonim brenda tyre, por edhe ato pak që na lejuan, ishin vetëm për pjesët të cilat i kishin zbrazur raftet.
Në marketet të cilët i kemi vizituar, kishte sasi të mjaftueshme të produkteve ushqimore, në përjashtim të produkteve të qumështit dhe mishit të cilat ishin në sasi më të vogël.
Ndërsa më 1 dhe 2 korrik bizneset atje kanë paralajmëruar se do të ketë mbyllje të lokaleve, si shenjë proteste.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka mohuar të ketë krizë humanitare në veri, duke thënë se ky është një inskenim i Beogradit zyrtar, derisa sipas tij 30 inspektorë të institucioneve të Kosovës të cilët i përkasin nacionalitetit serb janë vazhdimisht në terren dhe nuk raportojnë për një krizë të tillë.
Raporti: Blerta Dalloshi Berisha
Kamera: Visar Kryeziu
/ABC news Albania 24/7