Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica që aktivizohet te Verder Bremen në Gjermani ka përfunduar në objektivin e Benfikës. Drejtuesit e klubit të Bundesligas kërkojnë jo më pak se 35 milionë euro për futbollistin shqiptar.
Milot Rashica është kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës gjermane të Verder Bremen. 22-vjeçari mahniti me paraqitjet e tij në sezonin e fundit ku përmirësoi ndjeshëm edhe raportet me golat.
Performanca në rritje me skuadrën gjermane nuk i ka shpëtuar drejtuesve të skuadrës portugeze të Benfikës. Sipas gazetës gjermane Bild, luzitanët kanë ofruar plot 18 milionë euro për shërbimet e sulmuesit anësor.
Oferta është refuzuar menjëherë nga drejtuesit e Verder Bremen, të cilët kërkojnë jo më pak se 35 milionë euro. Milot Rashica e mbylli sezonin me gjermanët në kuotën e 12 golve ndërkohë që me përfaqësuesen e Kosovës realizoi 4 herë.
22-vjeçari kaloi në kampionatin gjerman merkaton e kaluar nga skuadra e Viteshe për shifrën e 7 milionë eurove. Gjatë kësaj periudhe talenti shqiptar ka bërë progres të jashtëzakonshëm dhe e ka ndihmuar skuadrën të garojë deri në fund për një vend në Kupat e Europës./ABC News Albania 24/7