“Verdhezinjtë” e Borussia Dortmund dështuan në “frymën e fundit” të Kampionatit gjerman, për t’i dhënë fund “hegjemonisë” së Bayern Munich në majën e Bundesliga, me “bavarezët” që arritën të siguronin për herë të 11-të titullin kampion.
Pas përfundimit të ndeshjes më i trishtuari u duk të ishte Jude Bellingham, me anglezin që do të kishte preferuar t’i jepte lamtumirën Borussia Dortmund me një trofe të Bundesliga në xhep, gjë të cilën e shprehu dhe me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku i kërkoi falje tifozëve për mosarritjen e objektivit në fund të sezonit.
“Më desh pak kohë për të reflektuar mbi atë që ndodhi në ndeshjen e fundit dhe në të gjithë sezonin. Ende nuk mund ta besoj se sa dhe si ndodhi. Ata që luajtën dhanë gjithçka që mundën. Nuk e vë në dyshim angazhimin e tyre. Fatkeqësisht, ne nuk ishim mjaftueshëm preciz në momentet vendimtare.
Për mua ishte shkatërruese të shihja shokët e mi të skuadrës duke vuajtur kështu, pa qenë në gjendje të ndikojnë në rezultat. Unë kurrë nuk kam përjetuar një atmosferë si ajo që patëm të shtunën. Ne ju zhgënjyem, nuk ju dhamë kampionatin kur ishte tashmë në duart tona. Shpresojmë që këto fatkeqësi mund të sjellin një epokë të re për klubin , që arrin të garojë për trofe çdo vit. Kjo është ajo që meriton qyteti i Dortmundit dhe tifozët e tij”,- u shpreh në fjalët e tij, Bellingham. /i.m /abcnews.al