Egzon Belica, mbrojtësi i Partizanit, doli sot para mediave për të folur në lidhje me ndeshjen kundër Laçit. Krah tij ishte edhe trajneri Ilir Daja, i cili u ngacmua nëse ka ndonjë plan për të ndalur sulmuesin e kurbinasve, Kyrian Nwabueze. Me shaka ai u shpreh që të përgjigjet pikërisht Belica.
“Patjetër që është e vështirë. Është një nga sulmuesit më të mirë të Superiores, ishte një nga golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar, por siç e tha edhe profesori, nuk është se është një duel që do të varet vetëm nga lojtarët e mbrojtjes.
Mbrojtja nis nga sulmi dhe sa më mirë të punojnë filtrat e parë dhe të dytë, aq më e lehtë do të jetë edhe për ne mbrojtësit”, u shpreh mbrojtës qendror, ndërkohë që më pas u ngacmua nëse ai dhe lojtarët e tjerë të prapavijës ruhen nga dëmtimet për shkak se janë të paktë në dispozicion të Dajës.
“Nuk ruhemi aspak, pasi më shumë të kesh frikë nga dëmtimet aq më shumë ekspozohesh ndaj tyre. Vërtetë jemi dy mbrojtës, por aty ka edhe djem të rinj që me pak besim dhe përkrahje mund të bëhen mbrojtës të mirë në të ardhmen”, përfundoi Belica. /abcnews.al