Për të përmirësuar shëndetin mendor të qytetarëve, i degraduar në këto dy vitet e fundit për shkak të pandemisë, qeveria belge po vlerëson miratimin e javës së shkurtër të punës. Ideja është zgjatja e ditës së punës nga shtatë orë e gjysmë– aktualisht në nëntë orë e gjysmë, por duke dhënë një ditë pushimi më shumë.
Iniciativa është pjesë e një projektligji për reformën e tregut të punës, dhe u mor nga kryeministri Alexander De Croo. Por ka shkaktuar një debat të fortë mes deputetëve, sindikatave dhe shoqatave të sipërmarrjeve. Sipas liberalëve propozimi do të përmirësonte jetën e të punësuarve duke i lejuar të kenë një ekuilibër më të mirë mes jetës private dhe asaj profesionale. Por do të kishte dhe një impakt të mirë ekologjik pasi do të reduktohej trafiku.
Por ata që janë kundër, shprehen se iniciativa nuk do të japë asnjë rezultat, madje do të përkeqësonte gjërat sidomos për prindërit që kanë fëmijët në shkollë, meqë koha jashtë shtëpisë do të ishte më e gjatë. Gjithashtu sindikatat belge theksojnë se një ditë pune prej 9 orësh e gjysmë është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për orarin e punës.
Ministri belg i punës u shpreh dakord me iniciativën, por ai kërkoi reduktim të orëve të punës dhe sidomos të bëhet e qartë se paga nuk do të preket. Java e shkurtër e punës është eksperimentuar tashmë në Spanjë dhe Islandë, të cilat kanë reduktuar dhe orarin e punës. Spanja këtë vit ka nisur një projekt pilot me 200 sipërmarrje vullnetare të cilat për tre vjet do të eksperimentojnë javën me katër ditë pune. Iniciativa do i kushtojë shtetit spanjoll 50 milion euro./abcnews.al