Belgjika mund 4-1 Kosta Rikën

schedule15:20 - 12 Qershor, 2018

schedule 15:20 - 12 Qershor, 2018

Belgjika pati një shqetësim të madh në miqësoren e luajtur ndaj Kosta Rikës. Lojtari kryesor, Eden Hazard, pësoi një dëmtim duke vënë në dyshim pjesëmarrjen në Botëror.

Si provë u kalua me sukses, por jo pa pasoja.

Belgjika mposhti Kosta Rikën 4-1 në miqësoren e fundit përpara Botërorit, duke treguar karakter në përmbysje, por duke u shqetësuar shumë për fatin e lojtarit kryesor, Eden Hazard.

Lojtari i Chelsea doli nga fusha e lojës në minutën e 70 pas një dëmtimi, dhe frika ishte e madhe, kur duhen edhe 6 ditë deri në ndeshjen e parë të belgëve në Kupën e Botës.

Për fat, trajneri Martinez nuk vonoi të sqaronte tifozët dhe mediat se dëmtimi nuk është i rëndë dhe se Hazard do të jetë gati për sfidën e parë në Rusi ndaj Panamasë.

Dëmtimi i numrit 10 ndodhi paksa për faj të të vëllait, diçka që Eden nuk vonoi ta shprehte në konfidencë.

Ishte pasimi jo i saktë i Torgan Hazardit që shkaktoi ndërhyrjen e gabuar të mbrojtësit kostarikan.

Gjithsesi, nëse ylli i Chelsea-t nuk do të ketë probleme, belgët mund të jenë optimistë.

Pavarësisht se pësuan gol të parët, vendasit nuk u tronditën në fushën e stadiumit “Hejsel” të Brukselit.

Rrjetës së Brajan Ruizit iu përgjigjën radhazi Dris Mertens i Napolit, dy herë Romelu Lukaku i Manchester United dhe Michy Batschuay i Borusias së Dortmundit.

Formacioni i Martinezit është si një deklaratë pa kushte e futbollit sulmues, gjithnjë në ofensive, madje duke mos iu bërë vonë për rreziqet nga kundërsulmet e rivalëve.

Belgjika është në rritje, me shumë talent dhe me gjithnjë e më shumë përvojë, ndërsa vështirësia që duhet të tejkalojë trajneri spanjoll është pozicioni në fushë i Kevin De Brujnit.

Ylli i Manchester City-t luan më larg portës me skemën 3-4-3, diçka që duket se nuk e lejon të japë maksimumin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!