Kryeministri belg Alexandre de Croix përshëndeti sot një propozim të BE-së për të përdorur të ardhurat nga fondet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën, disa orë para fillimit të një samiti të BE-së për të diskutuar këtë çështje.
“Propozimi për të ardhurat, mendoj se është zgjidhja më e mirë dhe e llogjikshme. Mendoj se ideja për t’i dhënë ato kryesisht për blerjen e armëve është absolutisht e arsyeshme”, tha de Croix në një intervistë për Reuters.
27 liderët e BE-së do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar luftën në Ukrainë, konfliktin në Rripin e Gazës dhe planet e Komisionit Evropian për të zhvilluar industrinë e tij të mbrojtjes evropiane si dhe zgjerimin e mundshëm të bllokut në të ardhmen.
27 do të shqyrtojnë një plan për të blerë pajisje për Ukrainën duke përdorur të ardhurat nga burimet e ngrira ruse.
Sipas këtij propozimi, të hartuar nga kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell, 90% e të ardhurave do të transferohen në një fond të menaxhuar nga BE-ja dhe do të përdoren për të financuar blerjen e armëve në emër të Kievit.
10% e mbetur do t’i shtohet buxhetit të BE-së dhe do të përdoret për të rritur kapacitetin industrial të Ukrainës për të prodhuar armët e veta. Komisioni ka vlerësuar të ardhurat nga burimet ruse në 2.5 deri në 3 miliardë euro në vit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë përmes videolidhjes në samit. Gjatë kësaj seance nuk pritet të merret një vendim përfundimtar për këtë çështje.
/abcnews.al