Belgjika bën bilancin, sekuestron 110 ton “të bardhë” gjatë vitit 2022

schedule12:17 - 10 Janar, 2023

schedule 12:17 - 10 Janar, 2023

Autoritetet belge raportuan se për vitin 2022 kanë sekuestruar pothuajse 110 ton kokainë në portin e Antwerp, kjo është një sasi rekord krahasuar me bilancin e viteve të kaluara. Porti mbahet si porta e parë në Europë për të transportuar lëndë narkotike njoftuan doganat belge.

“Është hera e parë që tejkalohet kufiri prej 100 tonësh. Një vit më parë, konfiskimet kishin arritur në 89.5 tonë”, raportuan mediat vendase.

Në Roterdam të Holandës, konfiskimet e kësaj lënde narkotike ranë në 52.5 tonë, nga rreth 70 në vitin 2021, u sqarua gjatë një konference për shtyp të këtyre dy vendeve fqinje në Beveren të Belgjikës, pranë Antwerpen.

Belgjika dhe Holanda zgjodhën sot për herë të parë të publikojnë së bashku llogaritë e tyre vjetore të konfiskimeve.

“Të dy shërbimet doganore së bashku sekuestruan 160 tonë kokainë vitin e kaluar”, njoftoi, ministri belg i Financave Vincent van Petegem dhe zëvendësministri holandez Auke de Vries.

Dy zyrtarët folën për “bashkëpunimin intensiv” të tyre në luftën kundër kësaj kontrabande ndërkombëtare. Ekipet e zhytësve holandezë veprojnë në portin e Antwerp për të inspektuar depo të mundshme në pjesën e poshtme nën ujë të anijeve.

Nga ana belge, qeveria do të rekrutojë rreth njëqind oficerë doganor dhe do të blejë pajisje të reja skaner për të forcuar kontrollet në Antwerp . U njoftua një investim prej 70 milionë eurosh në pajisje.

“Në Holandë, investimet në vitet e ardhshme do të kenë të bëjnë kryesisht me inteligjencën artificiale, zbulimin e kimikateve dhe gjurmimin e kontejnerëve”, u deklarua në deklaratën e përbashkët të dy vendeve.

Në Amerikën Latine, Panamaja, Kolumbia dhe Ekuador janë tre vendet kryesore nga të cilat kokaina transportohet në Evropë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!