Kreu i PPDNJ Vangjel Dule ka reaguar menjëherë pas shpalljes së fitores së kandidatit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.
Dule është shprehur se Himara ndodhet në një situatë të pazakontë ku sipas tij dhe pse ishin mësuar me manipulimin e zgjedhjeve dhe me dhunën e tyre, arrestimi i një kandidati në zgjedhje pa fakte është një rast ekstrem.
“Për triumfin në Himarë falenderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët sepse dhatë kontributin tuaj në triumfin e së vërtetës. U gjendem në një situatë të paimagjinueshme, në Himarë na kanë mësuar me fenomenin e dhunës dhe me manipulimin e zgjedhjeve por asnjëherë me rastin ekstrem të arrestimit pa arsye, pa fakte dhe prova të një kandidati në zgjedhje. Është ajo që thotë se kur flet populli nuk e ndalon askush, është fitore për ne, triumf për Belerin dhe një faqe e re për Himarën. Pavarësisht rezultateve zgjedhore në Himarë u thye autokracia e Ramës”, ka thënë Dulë.
Ndër të tjera ai ka theksuar se është i bindur në pafajësinë e Belerit dhe se shumë shpejt ai do të jetë i lirë në krye të postit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. /abcnews.al