“Beleri’ çështje e Shqipërisë”, Rama për Kathimerinin flet, pasi nuk u ftua nga Mitsotakis: Nuk e marr personale, unë nuk do ta bëja

schedule10:14 - 27 Gusht, 2023

schedule 10:14 - 27 Gusht, 2023

Kryeministri Edi Rama këtë të dielë ka publikuar intervistën e plotë të dhënë për median greke “Kathimerini”, me gazetarin Pavlos Papadhopulos dhe titull “Qeveria jonë u dha tituj pronësie minoritarëve”.

Në këtë intervistë ai ka dhënë detaje në lidhje me mungesën e ftesës nga homologu Mitsotakis për darkën joformale të liderëve të Ballkanit para disa ditësh në Athinë, megjithëse shprehet se nuk do vepronte në të njëjtën mënyrë si kryeministri grek.

Rama ka theksuar se gjërat e politikës nuk i merr personale.

“Në radhë të parë, kam mësuar në jetën time se nuk është gjë e mirë të ndjehesh i fyer personalisht. Asnjëherë nuk marr asgjë personalisht. Thjesht, nuk do veproja njësoj. Besoj se arsyeja e takimit dhe inisiativa që mori Kyriakos janë shumë të rëndësishme. Besoj se nuk duhet që kjo inisiativë e rëndësishme të ishte lidhur me një qëllim tjetër, domethënë të dërgohet një mesazh tek unë, Shqipërisë, për këtë çështje, sado rëndësi t’i japë Greqia. Mendoj se sidomos kur ndodhin ngjarje të pakëndshme mes miqve, miqtë duhet të flasin më tepër me njëri tjetrin, duhet të përpiqen të kuptojnë, të nderojnë miqësinë. Për mua Kyriakos është mik dhe mbetet një mik që vlerësoj dhe respektoj.”, ka thënë Rama.

Gjithashtu ai ka folur edhe për çështjen “Beleri”, ku shprehet se gjatë fushatës mund të ketë thënë disa gjëra për të cilat nuk ndihet krenar, duke iu referuar disa prej ofendimeve me të cilat i është drejtuar Belerit.

“Në radhë të parë në politikë ndodh të thuash gjëra për të cilat më pas nuk je krenar. E në këtë fushatë po, mund të kem thënë disa gjëra për të cilat nuk ndjehem vërtet mirë. Arsyeja që isha i ashpër me të ishin disa deklarata se do të promovonte procedurën e helenizimit të Himarës. Kjo nuk është diçka që thuhet në Europën e sotme. (Tha) se ishte aty të lironte Himarën, nuk e di nga kush? Por do doja të bëja një pyetje retorike. Po të dija që do fillonte investigim nga një referim në prokurori do kisha folur ashtu? Nuk besoj. Mora vesh për arrestimin e tij kur operacioni ishte në zhvillim, thirra shefin e policisë dhe e pyeta “Çfarë është kjo?” Më tha “Kemi urdhër arrestimi nga prokuroria bazuar në prova të padiskutueshme për blerje votash”. I thashë “dëgjo, mirë bën të jesh i sigurtë për këtë që po bën se mund të ketë zhvillime negative, prandaj duhet të bazohesh në prova të padiskutueshme”. Nuk kisha pjesëmarrje”, shprehet Rama më tej sa i përket të ardhmes së bashkisë së Himarës.

Ndër të tjera kreu i qeverisë i është përgjigjur pyetjes së gazetarit grek nëse çështja “Beleri” e dëmton imazhin e shqipërisë, ku ka theksuar se një qeverie e huja nuk ka të drejtë që të ndërhyjë dhe të komentojë aktet e sistemit gjyqësor të një vendi tjetër.

“E kuptoj por nuk jam dakord me asgjë nga këto e në radhë të parë nuk jam dakord që një qeveri e huaj mund të komentojë aktet e sistemit gjyqësor të një vendi tjetër, akoma dhe nëse janë vende shumë mike. Nuk është sjellje europiane, sipas mendimit tim. Pastaj, nuk i dimë të gjitha rreth çështjes. Do i mësojmë kur të paraqiten gjithë faktet në sallë gjyqësore nga prokurori special. Por nga sa njohim, e para u kap duke blerë vota. E dyta, asgjëkund në ligjet e Shqipërisë nuk parashikohet që qeveria apo kryeministri të lëshojë leje dalje nga burgu e një të burgosuri. Dhe e fundit, mbahet sepse pasi u drejtua në tre nivelet e drejtësisë shqiptare, nuk mundi të lirohet. Kështu, pyetja juaj është shumë e thjeshtë, ku jam unë dhe ku qeveria shqiptare në gjithë këtë? Prokuroria speciale kundër krimit të organizuar dhe gjykatat speciale kundër korrupsionit janë krijuar në kuadrin e reformës së drejtësisë. Reforma nga fillimi deri në fund u planifikua, miratua dhe filloi të zbatohet nën survejimin e rreptë të BE dhe mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE, përfshi dhe Greqisë. Dhe këto institucione kanë burgosur në nivel parapyetësor katër a pesë kryebashkiakë nga partia Socialiste e Shqipërisë”, ka thënë ndër të tjera kryeministri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!