Belerët nuk i ndahen bashkisë/ Himarë, djali i Fredi Belerit synon të kandidojë në zgjedhje

schedule13:28 - 19 Qershor, 2024

schedule 13:28 - 19 Qershor, 2024

Bashkia e Himarës synohet sërish nga Belerët. Ndonëse Fredi Beleri është i dënuar me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje, djali i tij, Petro Beleri kërkon të jetë sërish në fletën e votimit, nën të njëjtat iniciale si i ati. I pyetur nga “Abc News”, 27 vjeçari shprehu vullnetin për kandidimin e tij, me të njëjtin subject politik.

“Duhet të presim vendimin përfundimtar. Babai mund të shpallet i pafajshëm. Nëse do shpallen zgjedhje të reja unë do të kandidoj për kryetar bashkie. Duhet të mblidhemi fillimisht me këshillin për të rënë dakord për marrjen time pjesë në zgjedhje. Është përgjegjësi e madhe”.

Por, burime nga Partia Demokratike në Himarë citojnë se deri më tani nuk ka patur propozime për përfshirjen politike të Petro Belerit, në radhët e kandidatëve për kryetarë bashkie, në zgjedhjet vendore të radhës.

Këshilli Bashkiak i Himarës emëroi në 7 qershor me 12 vota pro kryetarin e ri të bashkisë, Arqile Bollano, I cili ka ushtruar më herët funksionin e nënkryetarit të bashkisë. Bollano është kryetari i tretë i komanduar për këtë bashki në tre muaj; pas arrestimit të Fredi Belerit dhe Jorgo Goros,pasuar nga dorëheqja e Blerina  Balës, për motive personale.

Gjykata e Apelit të posaçëm do të japë vendimin përfundimtar për kryebashkiakun e zgjedhur te Himares Fredi Beleri më 25 qershor./abcnews.al