Bekim Balaj është një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit tonë përfaqësues. Kur shkodrani është në fushë dhe shënon, Shqipëria zakonisht fiton, siç ndodhi edhe ndaj Uellsit.
Kombëtarja e ka një lojtar që i sjell fat. Ky quhet Bekim Balaj, sulmuesi shkodran që thuajse sa herë është në fushë, nuk del i humbur. Sidomos, kur Balaj shënon. E tregoi jo vetëm në miqësoren e fundit, në suksesin 1-0 ndaj Uellsit, me rrjetën e tij nga pika e 11-metërshit.
Balaj ka qenë i rëndësishëm edhe më parë, edhe pse ndoshta teknikisht nuk është në nivelin e Sadikut, Cikalleshit apo Manajt. Nuk harrohet goli i rrallë dhe tepër i rëndësishëm në Aveiro të Portugalisë, në ndeshjen e parë në grup për eleminatoret e Euro 2016-ës.
Me atë gol, u sigurua fitorja më përcaktuese e edicionit, ndërsa Balaj ishte në fushë edhe në ndeshjen e paharruar në Beograd ndaj Serbisë, që përfundoi me ngritjen e dronit dhe përplasjen e lojtarëve në fushë.
27-vjeçari ishte gjithashtu shpëtimtari në duelin e luajtur gjatë dy ditëve ndaj Maqedonisë, kur realizoi golin e fitores në Shkodër. Kjo, në minutën e fundit shtesë për suksesin 2-1 në eleminatoret e Botërorit 2018.
Balaj plotëson pesë rrjetat e tij në 30 takime me përfaqësuesen, me golat në fushën e Lihtenshtajnit, po për eleminatoret e Botërorit fituar 2-0, dhe në miqësoren e humbur ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Elbasan./abcnews.al

