Visar Bekaj është një prej përforcimeve të Tiranës në merkaton e verës. Portieri iu bashkua kampionëve pasi kishte spikatur me Prishtinën, ndërkohë që ai është edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Ditën e sotme, në prag të ndeshjes me Laçin, ai ka dalë para mediave dhe fillimisht ka folur për kundërshtarin.
“Kam dëgjuar që në fushën e Laçit është shumë vështirë, është një ekip shumë i mirë dhe ka kualitet. Ne jemi përgatitur maksimalisht. Le t’i harrojmë të gjitha ndeshjet që kemi kaluar, kjo është finalja jonë e parë. Do të vazhdojmë të luajmë si finale. Gjitha skuadrat janë shumë të mira.
Edhe Kastrioti ka hapur shumë probleme. Besoj jemi aty-aty të gjitha skuadrat. Edhe Laçi është pretendent për titulli, por Tirana niset për fitore, si gjithmonë. Synimi jonë është fitorja, pastaj nëse del ndonjë barazim nuk e di. Për humbje nuk mendojmë fare”, tha fillimisht Bekaj.
Në Kosovë ai ka pasur mundësinë të përballet me Kyrian Nëabueze, i cili para se t’i bashkohej Laccit u aktivizua me Dritën e Gjilanit. Për sfidën me të Bekaj shtoi: “Gjithmonë nisem që të mos pësoj gol. Së pari i merr meritat gjithë ekipi, më pas unë.
Të nisemi me pozitivitet dhe besoj që do t’ia arrijmë. Jam përballur me Nwabuez kur luante te Drita në Kosovë. E njoh si lojtar. Kemi dalë barazim në atë ndeshje, ai nuk më ka shënuar”. Më pas portieri komentoi edhe pritjen në derbi, në gjuajtjen e Bardhit me kokë.
“Nuk e prisja atë moment, mendova që do të dilte topi jashtë. Ai vetëm e goditi, nuk e pa portën fare. Isha aty me vendosje, nuk ishte shumë e vështirë”, u shpreh Bekaj, i cili e pranoi se te Tirana ka ardhur me idenë që ta largohet në një kampionat më të madh.
“Unë për këtë qëllim kam ardhur te Tirana. Të bëj lojë të mirë, të shpallemi kampionë dhe më pas ndoshta të bëj lëvizjen më të mirë jashtë vendit. Shpresoj që Tirana të më ndihmojë edhe për paraqitjet me përfaqësuesen”, mbylli portieri i bardhebluve, Visar Bekaj. / abcnews.al