Bejl i lumtur për kthimin dhe golin për Realin

schedule13:54 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 13:54 - 14 Dhjetor, 2017

Garet Bejl është i lumtur që u rikthye në fushë për Realin, pas dëmtimit, dhe që shënoi gol në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për klubet. Trajneri Zidan, nga ana e tij, foli për blerjet e mundshme në janar.

Shprehja se në futboll nuk ka më fitore të lehta, s’mund të quhet thjesht një fjali dhe aq.

Reali i Madridit e provoi vetë sesa e vështirë është edhe kur luan skuadra më e mirë e botës përballë një kampioneje jo aq të vlerësuar sa ajo e Azisë, Al Xhazira.

Gjithsesi, gjysmëfinalja e Kupës së Botës për klubet u fitua 2-1 me përmbysje, dhe bashkë me të u kthye në fushë një yll që ka vuajtur shumë si Garet Bejl.

I marrë për 100 milionë euro, ai ka munguar shpesh në apel, por di ta bëjë diferencën sa herë që është mirë fizikisht.

Një nga pikëpyetjet më të mëdha të madrilenëve ka qenë pikërisht uellsiani.

Në 4 vjet tek Reali, ai ka fituar shumë, por ka luajtur pak, dhe ka humbur 40 nga 60 ndeshjet e fundit.

Si ndihet njëri prej lojtarëve më të shtrenjtë të botës?

“Ka qenë një periudhë e vështirë, por janë kohë që I kalon çdo futbollist. Ka dëmtime, riaftësime, por e rëndësishme është që shokët më kanë qendruar pranë. Dua t’i falenderoj nga zemra. Jam shumë I lumtur që u ktheva në fushë dhe që luajta futboll, tani e rëndësishme është që të kem vazhdimësi”.

Trajneri Zidan pati këtë analizë për gjysmëfinalen.

“Ne e merituam fitoren dhe vendin në finale. Ky ishte shqetësimi ynë dhe ne e realizuam detyrën. Ndeshja ishte e pazakonshme, sidomos pjesa e parë, kur ne krijuam shumë raste dhe nuk shënuam dot gol. Gjithsesi, ne kishim edhe 45 minuta dhe ne u treguam të duruar, ndaj fituam. Al Xhazira është një ekip shumë I mirë, dhe u desh të sforcoheshim shumë për t’ia dalë. Dua ta përgëzoj kundërshtarin dhe të them se në futboll nuk ka fitore të lehta”.

Zidan u ngacmua edhe për formën e Karim Benzemasë, dhe u pyet nëse do të kërkojë të marrë lojtarë ofensivë si Harri Kejn apo Mauro Ikardi?

“Nuk kam ndërmend të marr sulmues tjetër në janar. Benzema luajti shumë mirë. Secili mund të ketë opinionin e tij, por ai pati një ndeshje mjaft pozitive. Skuadra jonë krijoi shumë raste, thjesht Benzema ishte i pafat që topi nuk hynte në rrjetë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!