Behrami akuzon trajnerin e Zvicrës për ndikim politik

schedule16:21 - 7 Gusht, 2018

schedule 16:21 - 7 Gusht, 2018

Valon Behrami akuzoi ashpër trajnerin e Zvicrës, Petkoviç, pas vendimit për të mos e thirrur më në kombëtare. Mesfushori deklaroi se vendimi ishte politik dhe se u mor pas festimit me shqiponjë nga Xhaka e Shaqiri.

U la jashtë në moshën 33-vjeçare. Valon Behrami nuk do të jetë më pjesë e Zvicrës, veçse futbollisti shqiptaro-zviceran nuk e priti aspak mirë këtë përjashtim.
Mesfushori që luan për Udinezen në Serinë A, akuzoi trajnerin Vladimir Petkoviç se pati motive politike që e largoi nga skuadra.

“Po, mendoj se momenti i shqiponjës së bërë nga Xhaka e Shaqiri ishte ai që krijoi një ndarje në ekip, – u shpreh ai, për mediat europiane, – trajneri mori një vendim politik dhe më vjen keq se u ndikua nga ata që nuk marrin vesh aspak nga futbolli”.

Behrami e pati fjalën për mënyrën e festimit të dy prej lojtarëve shqiptaro-zviceranë, Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, pas rrjetave të shënuara në ndeshjen Zvicër-Serbi, në fazën e grupeve të Kupës së Botës në Rusi. Festimi i tyre solli shumë polemika dhe nuk u prit mirë nga mediat zvicerane si dhe nga një pjesë e tifozëve.

Petkoviç, një trajner me origjinë kroate nga Bosnjë-Hercegovina, me shumë gjasë u ndikua nga opinioni publik për vendimin e marrë, ndonëse në skuadër vazhdojnë të jenë Xhaka e Shaqiri. Vendimi duket paradoksal, pas lavdërimeve të mëdha që gazetat zvicerane i bënë Behramit për lojën shumë të mirë ndaj Nejmarit në sfidën ndaj Brazilit, po në Botëror që përfundoi 1-1.

“Askush nuk e mishëron më shumë sesa Behrami, shpirtin e kësaj skuadre”, – shkruajtën gazetat, por duket se tani nuk është më kështu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!