Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar një analizë të re gjaku që tregon deri në 10 lloje të ndryshme të kancerit përpara se të nisin simptomat. Analiza është aq e saktë saqë Shëndetësia Britanike kërkon ta vendos si shërbim në spitale.
Zbulimi ka ardhur nga një grup studiuesish në Qendrën Kërkimore të Universitetit Stanford në SHBA: një ekzaminim i gjakut që identifikon fragmente të ADN-së të lëshuara nga disa lloje të kancerit dhe që lejojnë zbulimin e sëmundjes përpara se ajo të shfaqet. Një risi e rëndësishme që, jo rastësisht, shkencëtarët amerikanë e kanë quajtur “I shenjti Graal i kërkimeve mbi tumorin”.
Rezultatet e studimit janë prezantuar në konferencën e përvitshme të Shoqërisë Amerikane të Onkologjisë Klinike në Çikago. Ekzaminimi ishte i besueshëm në 90% të rasteve të analizuara, saqë shërbimi shëndetësor anglez do ta adoptojë për të marrë diagnoza të precise dhe të shpejta. Në studim janë përfshirë 1600 persona, 749 të shëndetshëm dhe 878 të cilëve u ishte shfaqur prej pak kohëve një tumor.
Gjetjet më të sakta ishin ato të kancerit të vezoreve dhe pankreasit, të pasuara nga mëlçia dhe fshikëza e tëmthit, si dhe nga limfoma dhe mieloma, kanceri i zorrëve dhe në fund kanceri i mushkërive, kokës dhe qafës, prostatës, stomakut dhe mitrës.
“Pjesa më e madhe e tumorëve zbulohen në një fazë të avancuar, por kjo biopsi na jep mundësinë për t’i gjetur muaj apo vite përpara se një person të shfaqë simptoma”, u shpreh doktori Erik Klein i qëndrës së Klivelend.
“Shpresojmë që me këtë analizë të shpëtojmë shumë jetë”, shtoi ai.
Çmimi i kësaj analize shkon nga 600 deri në 1100 euro dhe përgjigjet dalin brenda 15 ditëve./abcnews.al