Bëhet nënë 15 vjeçarja në Mallakastër. Lind në qendrën shëndetësore të fshatit, dërgohet në maternitet pasi shfaq komplikacione

schedule14:28 - 12 Shtator, 2024

schedule 14:28 - 12 Shtator, 2024

Një vajzë e mitur nga Fratari i Mallakastrës është bërë nënë një ditë më parë në Fier. Tre ditë më parë, 15 vjeçarja ka kryer lindjen në qendrën shëndetësore të fshatit e asistuar nga infermierja dhe mjeku por shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua bashkë me foshnjen e sapolindur në maternitetin e Fierit.

Tani e mitura dhe foshnja gëzojnë shëndet të mire por rasti ka tronditur mjekët e maternitetit të cilët referuan ngjarjen në polici. Kjo e fundit ka shpallur në kërkim një 31 vjeçar nga Mallakastra, i cili sipas deklarimeve të vajzës është babai i foshnjës.

15 vjeçarja ka thënë në deklarimet e saj se ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj me nje shtetas dhe ka mbetur shtatzënë. Vajza është shoqëruar gjatë kësaj kohe nga e ëma e cila ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të shtatzënisë së vajzës.

E mitura është trupvogël dhe foshnja e saj lindi 2.3 kg. Psikologë të komisariatit dhe maternitetit të Fierit po asistojnë qëndrimin dhe marrjen në pyetje të vajzës. E mitura u ka treguar fotot e 31 vjeçarit efektivëve të policisë si dhe identitetin e tij por nuk ka dhënë sqarime të hollësishme duke kërkuar kohë për t’u qetësuar.

Në deklarimet e para, e ëma e 15 vjeçares ka thënë se nuk do ta mbajë foshnjen, madje ka kërkuar të largohen bashkë me vajzën duke e lënë vogëlushen e sapolindur në maternitet. Por stafi mjekësor i ka kërkuar të presin për të dërguar foshnjen në një qendër të posaçme për foshnjat e sapolindura në Tiranë. Aty do të qëndrojë 40 ditë dhe më pas nëse e ëma nuk e merr, dërgohet në befotrof.

E mitura jeton me të ëmën, vëllain 19 vjeç dhe gjyshin në Fratar të Mallakastrës ndërsa i ati është emigrant në Greqi. Nëna e 15 vjeçares mungon në pjesën më të madhe të kohës pasi punon si kujdesetare për një të moshuar.