Presidenti Bajram Begaj ndodhet në një vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku mbajti një konferencë për mediat me presidenten e RMV Siljanovska-Davkokva.
Presidentja e RMV-së Siljanovska-Davkova, theksoi se në një kohë pasigurish politike dhe sfidash në sigurinë evropiane, bashkëpunimi mes vendeve është thelbësor për forcimin e stabilitetit dhe paqes. Ajo nënvizoi se të dyja shtetet kanë dhënë dhe do të vijojnë të japin kontribut aktiv për paqen, ndërsa vizita e përbashkët me rektorin e Universitetit të Tiranës dëshmon zgjerimin e bashkëpunimit edhe në arsim dhe shkencë. Siljanovska-Davkova shtoi se pakicat etnike dhe statusi i shqiptarëve përbëjnë ura të rëndësishme lidhëse, duke e cilësuar takimin si një nxitje të re për thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë dypalëshe.
“Ajo që është e rëndësishme në këtë botë të pasigurt, është lidhja e dyanshme e politikës së jashtme dhe të sigurisë mes BE-së dhe vendeve të tjera. Kjo na bën edhe më rezistentë.
Gjithmonë kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim kontribut në ruajtjen e paqes. Në këtë vizitë është bashkangjitur edhe rektori i Universitetit të Tiranës, dhe kjo përbën një dorë të zgjatur bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkencës. Lidhshmëria mes institucioneve do të kontribuojë në forcimin e miqësisë mes dy vendeve.
Një urë e rëndësishme është edhe pakica etnike në Shqipëri, por gjithashtu edhe statusi i shqiptarëve tek ne. Para së gjithash, ju falënderoj për vizitën, President Begaj, dhe dëshiroj të theksoj se ky takim i sotëm për mua është një stimulim dhe nxitje shtesë për bashkëpunimin bilateral, si edhe një shtesë në miqësinë dhe përkrahjen e ndërsjellë mes dy vendeve.”


