Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si të shkëlqyera, gjatë një konference të përbashkët me Presidentin Bajram Begaj në Shkup, në kuadër të vizitës zyrtare të këtij të fundit.
Siljanovska-Davkova theksoi se ishte “nder dhe kënaqësi” mikpritja e homologut shqiptar, duke nënvizuar se kjo vizitë dëshmon nivelin e lartë të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo theksoi se dialogu politik mes Shkupit dhe Tiranës kërkon qasje të hapur dhe mirëkuptim, ndërsa vuri në dukje se dy shtetet nuk kanë çështje apo konflikte të hapura, çka krijon hapësirë për partneritet edhe më të thelluar.
Në fokus të diskutimeve, sipas saj, ishte progresi i përbashkët dhe nevoja për rritjen e bashkëpunimit, veçanërisht në projekte infrastrukturore. Një nga temat kryesore ishte edhe perspektiva europiane e rajonit, ku presidentja u shpreh se Shqipëria është tashmë më afër këtij synimi dhe se integrimi realizohet përmes reformave të qëndrueshme.
Ajo theksoi gjithashtu se bilateralizimi i procesit të eurointegrimit nuk duhet të bëhet precedent, duke shtuar se investimi më i madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Ishte një nder dhe kënaqësi për mua që ta mirëpres dhe t’i uroj pjesëmarrjen Presidentit Bajram Begaj. Kjo tregon edhe njëherë marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Marrëdhënie e mia ndërtohen vetëm në sajë të respektit të ndërsjellët. Dialogu ynë politik, kërkon një qasje të hapur dhe mirëkuptim. Një gjë është e qartë ne nuk kemi çështje dhe konflikte të hapura, dhe nëse nuk i kemi këto, kemi mundësinë për partneritet të hapur.
Krahas çështjet së progresit theksuam se ka hapësirë për rritjen e partneritetit. Nevojitet aktivitet i përbashkët infrastrukturor. Ndër temat kryesore është edhe ajo për perspektiven europiane, ajo tashmë është më afër Shqipërisë tani dhe unë gjithmonë shpreh kënaqësinë për këtë. Unë shikoj hapa evropiane, në të gjithë Ballkanin Europian. Anëtarësimi ynë, realizohet përmes reformave. Diçka tjetër që dua të theksoj, bilateralizimi i eurointegrimit nuk do të jetë një shembull i vetmuar. Besojmë nuk ka investim më të madh në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, se sa stabiliteti në BE”, tha Presidentja e Maqedonisë së Veriut.


