Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë të Europës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Evropian “Shared Sacred Flourishing”.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e forumit si një platformë për forcimin e dialogut ndërfetar dhe promovimin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në Evropë.
Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare si dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që, gjatë qëndrimit tuaj, t’i prekni nga afër”, u shpreh Presidenti gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë.
Gjithashtu, Presidenti Begaj theksoi se shoqëria shqiptare si mbartëse e këtyre vlerave arriti t’i mbijetojë kohërave më të errëta të besimit:
“Megjithëse regjimi diktatorial e shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, shembi objektet e kultit apo ndryshoi destinacionin e tyre, ai nuk arriti dot të zhbënte besimin e shqiptarëve në Zot”, vijoi Begaj.
Kreu i Shtetit u ndal, gjithashtu, te vlera që ka për shoqërinë shqiptare respektimi i besimit të tjetrit.
Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare.
Në fund të takimit, Presidenti theksoi se, në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta, polarizim dhe konflikte, dialogu ndërfetar mbetet një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes.
Në këtë frymë, shtoi Presidenti Begaj, Shqipëria vijon të japë kontributin e saj, duke promovuar modelin unik të harmonisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore.



