Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.
Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.


