Begaj i treti kryetar shteti me karrierë ushtarake, Presidenti Meta i dha gradën “Gjeneralmajor” në 2020

schedule20:20 - 3 Qershor, 2022

schedule 20:20 - 3 Qershor, 2022

Bajram Begaj duket se do të jetë i treti president që vjen nga radhët e ushtrisë, nëse nesër merr votat e duhura.

I pari ka qenë Alfred Moisiu, 10 vjet më vonë i ndjeri Bujar Nishani me një të shkuar ushtarake, drejtoi për 5 vite Presidencën, edhe si drejtuesi më i lartë i Forcave të Armatosura.

Ndërkaq Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është i pari ushtarak që ka marrë gradën “gjeneralmajor”.

Ka qenë pikërisht presidenti Ilir Meta ai që ka dekretuar më 3 korrik të vitit 2020 Begajn që kishte detyrën e “Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes”.

Begaj hyri në historinë e Forcave të Armatosura, duke u bërë kështu mjeku i parë në ushtri i cili arriti që të bëhej gjeneral major, e cila është grada më e lartë.

Në karrierën e tij të gjatë, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Ai ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!