Tirana ka punuar e qetë këtë janar dhe synimi ka qenë vetëm afrimi i një mbrojtësi qendre. Drejtuesit bardheblu, por edhe stafi teknik, janë të mendimit se grupi i lojtarëve është i plotë dhe është e kotë të fryhet edhe më tepër organika.
Çdo rol është i dubluar, ndërkohë që tanimë është gjetur marrëveshja edhe me mesfushorin nga Guinea, Lancinet Sidibe. Ai mund të luajë edhe si qendërmbrojtës dhe klubi i Tiranës, pas bisedimeve me Besëlidhjen, ka arritur ta bëjë tijin futbollistin.
Sidibe më parë është aktivizuar në Superiore me Flamurtarin dhe Teutën, kurse gjatë këtij muaji u stërvit me Skënderbeun. Korçarët, në pamundësi për të bindur lezhjanët, janë detyruar të heqin dorën dhe është Tirana që do i ketë shërbimet e mesfushorit në vazhdim. /abcnews.al