Nga Vincent Manancourt, Politico.eu
Ndërsa vendet po nxitojnë të vaksinojnë sa më shpejt popullatat e tyre kundër koronavirusit tëri, po hartohen skemat sesi do të verifikohet statusi i imunitetit – të njohura si “pasaporta e vaksinave”-si mjet për rikthimin drejt jetës normale, me Greqinë që ka nisur e para përpjekjet për zbatimin e një skeme të gjerë të Bashkimit Evropian.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i ka deklaruar së fundmi Komisionit Evropian përmes një letre,se është“urgjente të miratohet një qasje e përbashkët se si duhet të strukturohet një certifikatë e vaksinimit, në mënyrë që ajo të pranohet në të gjitha shtetet anëtare”.
Por, në Evropë ku vaksinimet sapo kanë filluar, propozimet për skemat e “pasaportave të vaksinave”, janë tashmë duke u përballur me një pengese të njohur, atë të:privatësisë. Kundërshtarët e skemave, argumentojnë se pasaporta të tilla do të rrezikonin të drejtat themelore të evropianëve, duke i ndarë njerëzit në kategori sipas statusit shëndetësor, dhe duke u mohuar të pa vaksinuarve qasje në të gjitha shërbimet publike.
“Futja në zbatim e “pasaportave të vaksinave”, paraqet pyetje thelbësore për mbrojtjen e privatësisë së të dhënave dhe të drejtave të njeriut”- thotë Ana Bedushi, studiuese në Universitetin Eksteter. Pasaportat mund të “krijojnë një dallim të ri midis individëve, bazuar në statusin e tyre shëndetësor, që mund të përdoret më pas për të përcaktuar shkallën e lirive dhe të drejtave që ata mund të gëzojnë”, shtoi ajo.
Me letrën e tij,Mitsotakis duket se u përpoq të vendoste një ekuilibër, duke kërkuar të merren parasysh këto shqetësime. Në letrën e tij, ai shkruante se Greqia “nuk do t`a bëjë vaksinimin të detyrueshëm, apo një parakusht për udhëtimin jashtë vendit”. Por ai theksoi gjithashtu se “personat që janë vaksinuar duhet të jenë të lirë të udhëtojnë”.
Ideja e certifikatës së imunitetit, po fiton terren në disa vende të BE-së, ku më shumë se gjysmë milioni njerëz në bllok kanë vdekur për shkak të COVID-19, dhe qindra milionë të tjerë përballen me kufizimet e reja,teksa vala e dytë e pandemisë po godet gjithë kontinentin.
Në tetor 2020, Estonia nënshkroi një marrëveshje me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të zhvilluar një certifikatë dixhitale të imunizimit, që do të lejonte shkëmbimin ndërkufitar të të dhënave të vaksinimit. Këtë javë, kryeministri estonez Jüri Ratas tha se e kishte ftuar Finlandën që t’i bashkohej këtij projekti.
Në Hungari, qeveria tha se mund t’u kërkojë vizitorëve të tregojnë statusin e tyre të vaksinimit,dhe se mund të hyjnë në vend përmes një aplikacioni që tregon se një individ ka imunitet ndaj Covid-19. “Nevoja që qytetarët të ofrojnë prova se kanë fituar mbrojtje kundër koronavirusit, po rritet në të gjithë botën”-tha një zëdhënësi i qeverisë.
Vizitorët në Islandë janë të përjashtuar nga testimi dhe kërkesat për karantinim, nëse ata mund të tregojnë një certifikatë që vërteton se janë prekur dhe më pas shëruar nga Covid-19 që prej 10 dhjetorit, (edhe pse një zëdhënës i qeverisë tha se ishte gabim që kjo skemë të cilësohet një formë e pasaportës së vaksinës).
Belgjika është në favor të një “certifikate të verifikueshme të vaksinimit kundër Covid-19”, në nivelin e BE-së apo edhe atë global. Javët e fundit, qeveria spanjolle tha se do të përdorte një lloj pasaporte të vaksinës së përmbysur, pra duke regjistruar ata që refuzuan të vaksinohen, duke i ndarë këto të dhënat me “partnerë të tjerë evropianë”.
Lëvizje të tilla ndjekin shembullin e Izraelit, që udhëheq në fushatën për vaksinimin e popullsisë kundër koronavirusit. Ky vend,ka krijuar një aplikacion që i lejon njerëzit e vaksinuar të marrin pjesë në ngjarje kulturore dhe sportive, si dhe të udhëtojnë jashtë vendit pa pasur nevojë për karantinim.
Linja ajrore australiane Qantas, thotë se planifikon të kërkojë prova të vaksinimit për të hipur në një nga avionët e saj, ndërsa fushata e re reklamuese e Ryanair thotë “Vaksinohu dhe udhëto!”. Disa organizata, përfshirë gjigantin e teknologjisë IBM, dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Transportit Ajror, po diskutojnë se si do të funksiononin në praktikë sisteme të tilla, edhe pse brenda industrisë së udhëtimeve ka pasur edhe kundërshtime ndaj kësaj ideje.
Ndërkohë vende të tjera të BE-së, qartazi janë kundër saj. Franca, popullsia e së cilës numëron një numër të lartë skeptikësh ndaj vaksinave, e ka përjashtuar mundësinë e pasaportave të vaksinave, pavarësisht mbështetjes së shprehur nga profesionistë të njohur të shëndetit publik.
Një raport i vitit të shkuar nga Instituti Ada Lovelace, tha se pasaportat e imunitetit, do të “sillnin rreziqe shumë të mëdha për sa i përket kohezionit social, diskriminimit, përjashtimit dhe cënueshmërisë”. Duke folur për Politico në atë kohë, drejtori i institutit Carly Kind tha se përdorimi i një skeme të tillë, mund të nënkuptojë se imuniteti mund të bëhet një tipar i mbrojtur si etnia ose raca. “Ne duhet të mendojmë se si të krijojmë një strukturë, që të garantojë mos-diskriminimi në bazë të kësaj karakteristike”- tha Kind.
Por vitin e kaluar, kreu i mbrojtjes së të dhënave në Bashkimin Evropian, Wojciech Wiewiórowski e quajti “ekstreme” idenë e një pasaporte të imunitetit. “Edhe vetë emri më duket i neveritshëm”- tha ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

