Vendet e BE-së do të vendosin sanksione kundër 30 zyrtarëve rusë për shkak të vdekjes së liderit opozitar Alexei Navalny, tha përfaqësuesi i lartë i unionit për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell.
“Ne kemi rënë dakord për sanksione për ata që janë përgjegjës për vrasjen e Alexei Navalny”, tha Borrell pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së. Zyrtarët thanë se BE do të ndjekë SHBA dhe Britaninë e Madhe në vendosjen e ndalimeve të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve ndaj zyrtarëve rusë përgjegjës për trajtimin e Navalny.
Emrat e të sanksionuarve nga BE do të bëhen të ditur në ditët në vijim. Marrëveshja për të sanksionuar ata që janë përgjegjës për vdekjen e Navalny vjen pasi udhëheqësi rus Vladimir Putin fitoi një mandat të ri gjashtëvjeçar në zgjedhjet që Perëndimi i cilësoi “të rreme”.
Navalny, lideri më i shquar i opozitës ruse, vdiq në një burg të Arktikut në shkurt./abcnews.al