BE: Ujë i pijshëm më i sigurt falë standardeve të reja të higjienës

schedule22:29 - 23 Janar, 2024

schedule 22:29 - 23 Janar, 2024

Komisioni Europian ka miratuar këtë të martë standardet e reja minimale të higjienës për materialet dhe produktet që vijnë në kontakt me ujin e pijshëm.

Ato do të zbatohen nga 31 dhjetor 2026 për materialet dhe produktet e përdorura në instalimet e reja ose kur instalimet e vjetra rinovohen ose riparohen. Këto standarde do të parandalojnë rritjen e mikrobeve dhe do të zvogëlojnë rrezikun e rrjedhjes së substancave të dëmshme në ujin e pijshëm.

Standardet e reja do të zbatohen për materialet dhe produktet e destinuara për t’u përdorur në instalimet e reja për pompimin, trajtimin, ruajtjen ose shpërndarjen e ujit ose për punë riparimi, të tilla si për shembull tubat e furnizimit, valvulat, pompat, matësat e ujit, pajisjet dhe çezmat. Kjo do ta bëjë ujin e pijshëm më të sigurt dhe do të reduktojë peshën administrative për kompanitë që prodhojnë materialet dhe produktet përkatëse, si dhe për autoritetet kombëtare.

Deri më tani harmonizimi në BE ka qenë i kufizuar dhe prodhuesit kanë qenë të detyruar të kërkojnë miratim të veçantë në secilin shtet anëtar ku dëshirojnë të shesin produktet e tyre. Rregullat e reja do të thjeshtojnë procesin e miratimit të kryer më parë nga çdo autoritet kombëtar.

Materialet dhe produktet që përputhen me standardet e reja të BE-së do të marrin një shenjë të veçantë të BE-së. Prandaj, produkti do të mund të shitet në të gjithë BE-në pa kufizime të lidhura me shqetësimet e mundshme të shëndetit publik ose mjedisit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!