Qeveria turke i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të mos përzihet në çështjet e saj të brendshme, pas shqetësimit të shprehur nga Brukseli për mbajtjen e zgjedhjeve të prakohshme në Qershor.
Turqia i ka bërë thirrje Europës që të shohë punët e saj, pas shqetësimit të ngritur nga një prej organeve të Këshillit të Europës në lidhje me zgjedhjet e parakohshme të vendit. Presidenti Recep Tayip Erdogan njoftoi më herët se më 24 Qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, me argumentin se Turqia duhet të kalojë me shpejtësi nën drejtimin e një ekzekutivi me sistem presidencial, që u aprovua me referendum vitin e kaluar.
Nisur pikërisht nga sistemi i ri elektoral, Komiteti i Monitorimit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës deklaroi se legjitimiteti i zgjedhjeve turke është në dyshim. Gjithashtu, Komiteti shprehu shqetësim për praninë e mundshme të forcave të policisë në qendrat zgjedhore, që mund të ketë një efekt cënues tek votuesit.
“Të gjithë këta faktorë të marrë së bashku rrezikojnë seriozisht aspektin demokratik të zgjedhjeve”, deklaroi Komiteti i KiE-së, që i bëri thirrje autoriteteve turke të shtyjnë procesin elektoral.
Por kryeministri turk, Binali Yildirim, posti i të cilit do të pushojë së ekzistuari pas zgjedhjeve, i ka hedhur poshtë argumentet duke thënë se Turqia ka mbajtur qindra procese zgjedhore demokratike.
“Këshilli i Europës duhet të shohë punën e tij. Nëse ata nuk duan të mbajnë zgjedhje, Turqia do t’i mbajë”, ka thënë Yildirim./abcnews.al