BE-SHBA: Dhuna ndaj civilëve, gazetarëve dhe autoriteteve në veri, e papranueshme

schedule14:30 - 20 Tetor, 2021

schedule 14:30 - 20 Tetor, 2021

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë sot me një deklaratë të përbashkët për Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar tensioneve të fundit në veri, BE dhe SHBA thonë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë dhe autoriteteve të tjera në veri është e papranueshme.

“Theksojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE, i cili është mekanizmi kryesor për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të fundit të tensionit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në de-përshkallëzim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm dhe të shmangin veprimet që kërcënojnë stabilitetin. Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ritheksojmë se dhuna kundër civilëve, gazetarëve, policisë ose autoriteteve të tjera është e papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Pas takimit të fundit midis shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell dhe sekretarit të Shtetit Antony Blinken javën e kaluar në Uashington, BE dhe SHBA u dakorduan të forcojnë më tej angazhimin e tyre të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të përparimit të rajonit në rrugën e tij evropiane.

Në deklaratën e përbashkët përmendet mbështetja e plotë e BE-së dhe SHBA-së për procesin e zgjerimit të BE-së. Aty thuhet se pranimi në BE, një përparësi e deklaruar për të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në avancimin e sundimit të ligjit.

“Ky rajon i përket Bashkimit Evropian. Integrimi më i ngushtë do të rrisë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve të rajonit. Në këtë kontekst, ne theksojmë se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojnë pa vonesë”, theksohet në deklaratë.

BE dhe SHBA shprehen të bashkuara në mbështetjen e tyre të fortë për integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Ne kemi shqetësime serioze për retorikën gjithnjë e më përçarëse në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe mbrojnë institucionet shtetërore, të rifillojnë dialogun konstruktiv dhe të ndërmarrin hapa për të çuar përpara përparimin në rrugën e integrimit në BE – përfshirë reformat përkatëse. BE dhe SHBA janë gati të lehtësojnë këto hapa”, thuhet në deklaratë.

Sa i përket Malit të Zi, BE-ja dhe SHBA-ja i bëjnë thirrje të gjitha forcave politike në këtë vend që të punojnë së bashku për të ruajtur një orientim strategjik që reflekton dëshirën e popullit të Malit të Zi për të arritur reformat e nevojshme për t’i bërë realitet shpresat e tyre për një të ardhme në BE.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!