BE rrëzon Kuvendin: IPA nuk rekomandoi përjashtimin e gazetarëve, keqardhje që s’pati konsultime

schedule19:06 - 9 Qershor, 2021

schedule 19:06 - 9 Qershor, 2021

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të kuvendit për të mos lejuar gazetarët që të qëndrojnë në ambientet e komisioneve parlamentare apo në korridore. Në një postim në Twitter, BE në Shqipëri shprehet se dëgjesat publike dhe aksesi i mediave në parlament është tipar i rëndësishëm i një demokracie liberale.

BE po ashtu sjell në vëmendje se rregullat e reja nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së apo të këshillave të vëna në dispozicion nga Instrumenti për Asistencë Para-Anëtarësimit.

Kështu, delegacioni i BE hedh poshtë pretendimin e bërë nga Kuvendi i Shqipërisë më herët gjatë ditës së sotme, ku me anë të një njoftimi informoheshin palët e interesuara se projekti është dërguar BE-së në rrugë zyrtare në 2014, dhe me miratimin e paketës IPA 2014, përfshihet edhe mbështetja financiare për instalimin e sistemit të ri  audio-video.

“Projekti i sistemit i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare më datën 27 Maj 2014 dhe i është prezantuar nga Kuvendi përfaqësuesve të BE-së në dy takimet e zhvilluara më datat 28 maj dhe 3 qershor 2014. Më datën 17 dhjetor 2014, Komisioni Europian miratoi paketën IPA 2014 për Shqipërinë,  e cila përfshin edhe mbështetjen financiare për Kuvendin për instalimin e sistemit të ri  audio-video.”

Në reagimin e BE thuhet gjithashtu se është për të ardhur keq që nuk pati konsultime me mediat përpara adaptimit të rregullave të reja nga ana e Parlamentit.

“Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisur në këtë kontekst në vitin 2014.”

Më herët Kuvendi i Shqipërisë, sqaroi se vendimi është marrë me qëllimin për të ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Po ashtu, Kuvendi sqaroi se regjistrimet që do të ofrohen në dhomën ku do të qëndrojë media nuk do të kontrollohen nga një regji qendrore, por nga vetë gazetarët.

Sipas rregullores së re, kamerat nuk do të lejohen në asnjë rast të hyjnë në godinë, përjashtuar ato raste kur deputeti do të ketë pranuar intervistën.

Gazetarët do të rrinë vetëm në një sallë në katin e parë, ku mund të shohin mbledhjet nga ekrani, por nuk mund të afrohen tek sallat e mbledhjeve, duke i larguar kështu nga ligjvënësit apo ministrat. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!