Disa vende anëtare të Bashkimit Europian kanë bërë thirrje për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Rusisë, pas sekuestrimit të 3 anijeve të marinës ukrainase në Krime. Por apeli nuk ka gjetur mbështetjen e pritur, duke bërë që të ngrihen dyshime nëse Brukseli do të jetë i unifikuar në këtë nismë.
Politikanë të shumtë europianë ngritën të martën mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja kundër Rusisë, si masë ndëshkimi për sekuestrimin e tre anijeve të marinës ukrainase, veprim që sipas Perëndimit mund të thellojë konfliktin mes dy vendeve.
Deputeti konservator gjerman Norbert Rotgen, aleat i afërt i Merkel, deklaroi se Bashkimi Europian duhet t’i ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë, të vendosura për aneksimin e gadishullit të Krimesë. Por Karin Knajsel, ministre e Jashtme e Austrisë që kontrollon presidencën e radhës të BE-së, tha se Unioni do të veprojë në bazë të fakteve që do të paraqiten nga të dyja palët.
Ndërsa ministri i Jashtëm francez, Zhan Iv Lë Drio, i pyetur nga mediat, refuzoi të përgjigjej. Pro sanksioneve u shprehën Polonia dhe Estonia, dy vende që ndihen të kërcënuara nga Rusia. Zëvendës ministri i Jashtëm polak, Bartosh Çikoki tha se, incidenti në ujërat e Krimesë legjitimon thirrjet e Varshavës zyrtare për një qëndrim më të unifikuar të BE-së ndaj Rusisë.
“Rusia gabon nëse mendon se Perëndimi nuk është i unifikuar, pasi energjia është një gjë dhe mbrojtja është një gjë tjetër”, tha zyrtari polak.
Sidoqoftë, mungesa e unitetit ka ngritur dyshime nëse 28 vendet anëtare do të bien dakord për t’i dërguar një apel Moskës për të liruar anijet dhe marinarët ukrainas. Ditën e diel, në ujërat e Krimesë, e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, marina ruse sekuestroi 3 anijet ukrainase dhe më pas dërgoi në to forcat speciale, që anëtarësuan ekuipazhet./abcnews.al