BE pritet të sanksionojë Sberbank e institucione të tjera financiare në Rusi

schedule07:50 - 17 Prill, 2022

schedule 07:50 - 17 Prill, 2022

Bashkimi Evropian pritet që të sanksionojë huadhënësin më të madh rus Sberbank dhe firmat e tjera financiare ruse në raundin e ardhshëm të kufizimeve. Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për një gazetë gjermane.

“Ne po shikojmë më tej sektorin bankar, veçanërisht Sberbank-un, i cili përbën 37% të sektorit bankar rus”, tha von der Leyen për Bild am Sonntag kur u pyet për raundin e gjashtë të ardhshëm të sanksioneve.

Kujtojmë se SHBA ka vendosur “sanksione të rënda” ndaj Sberbank dhe një tjetër huadhënësi rus, Alfa Bank, në fillim të prillit. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka sanksionuar Sberbank dhe është zotuar t’i ndalojë të gjitha importet e qymyrit dhe naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

Por BE-ja kishte kursyer deri më tani Sberbank dhe një tjetër huadhënës të madh rus, Gazprombank, sepse ato ishin rrugët kryesore për pagesat e saj për naftën dhe gazin rus.

Von der Leyen tha se Unioni po punon për “mekanizma të zgjuar” për të përfshirë naftën në sanksionet e ardhshme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!