BE paralajmëron shpalljen e masave ndëshkuese kundër Kosovës

schedule22:47 - 27 Qershor, 2023

schedule 22:47 - 27 Qershor, 2023

Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman.

Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, shkruan REL.

Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.

Gjatë këtij debati, Lajçak u ka sqaruar eurodeputetëve hapat konkretë që BE-ja u ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Në këtë debat, shumica e deputetëve të PE-së kanë kritikuar qasjen e BE-së. Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.

Deputetët e PE-së kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj Serbisë, por as Lajçak dhe as Koopman nuk i janë përgjigjur kësaj pyetjeje. Dy zyrtarët evropianë, megjithatë përsëritën disa herë se “nga të dyja palët kërkohen veprime dhe hapa konkretë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!