BE paralajmëron përsëri liderët kosovarë: Mos prekni Gjykatën Speciale

schedule13:38 - 12 Janar, 2018

schedule 13:38 - 12 Janar, 2018

Liderët kosovarë janë paralajmëruar sërish nga bashkimi europian për sa i përket përpjekjeve për shfuqizimin e gjykatës speciale. Zyra e BE dhe misionet e vendeve anëtare në Kosovë në një deklaratë të përbashkët për shtyp kërkojnë që gjykata të nisë punën sa më parë.

Me anë të një deklarate të përbashkët për shtyp Zyra e Bashkimit Evropian dhe misionet e vendeve anëtare që janë të pranishme në Kosovë, sërish kanë kundërshtuar sërish shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Sipas kësaj deklarate BE shprehet e shqetësuar për faktin se deputetët e Kosovës kanë ndërmarrë iniciativë për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar.

Në deklaratën e përkthyer dhe publikuar nga mediat kosovare shkruhet se në vitin 2014, Kosova është zotuar ndaj Bashkimit Evropian për të themeluar Dhomat e Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Si rezultat, BE mirëpriti themelimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015.

Ndaj cdo përpjekje për të shfuqizuar apo ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara minon seriozisht një përkushtim të tillë dhe do të rrezikonte seriozisht punën e arritur nga Kosova dhe BE-ja për sundimin e ligjit të arritur viteve të fundit. Kjo do të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Prandaj, BE u bën thirrje iniciatorëve të nismës së Parlamentit që të tërheqin këtë iniciativë.

Deklarata mbyllet me fjalinë se BE përkrah fuqishëm përparimin e Kosovës në integrimin e saj evropian./abcnews.al