Bashkimi Evropian ka prezantuar tarifat hakmarrëse në mallrat amerikane, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur tarifa në importet e çelikut dhe aluminit evropian.
Tarifat në vlerë të 2.8 miliardë eurove në produktet amerikane kanë filluar së aplikuari nga dita e premtë.
Kjo masë është vënë në produktet amerikane siç janë uisku, motoçikletat dhe lëngu i portokallit.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se masat e vëna nga SHBA-ja dhe BE-ja janë kundër “logjikës dhe gjithë historisë”.
Në po të njëjtën kohë, India ka rritur taksat në 29 produkte që importohen nga SHBA-ja, duke përfshirë disa produkte bujqësore, çelikun dhe produkte të hekurit, në shenjë hakmarrje ndaj tarifave amerikane.
Masat e reja indiane do të nisin së zbatuari nga 4 gushti.
Administrata e Trumpit ka njoftuar në muajin mars se do të vendoste tarifa prej 25 përqind në çelik dhe 10 përqind në alumin në produktet e importuara në SHBA.
Vendimi amerikan ka filluar së aplikuari nga 1 qershori duke prekur BE-në, Kanadanë, Meksikën dhe aleatë të tjerë të ngushtë të SHBA-së, duke përfshirë Indinë. /REL