Pak minuta para fillimit të fjalimit vjetor të Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen për gjendjen e Bashkimit Europian, Parlamenti Europian në Strasburg shpërtheu në duartrokitje.
Kryetarja e Kuvendit, Roberta Metzola, sapo kishte shpallur të ftuarën e nderit – Zonjën e Parë të Ukrainës, Olena Zelenska. Sigurisht që nuk ishte zgjedhje e rastësishme – lufta në Ukrainë formoi thelbin e fjalimit të von der Leyen, një fjalim që, çdo shtator, përcakton prioritetet legjislative dhe politike për vitin e ardhshëm.
“Asnjëherë më parë ky Parlament nuk është mbledhur për gjendjen e Unionit, ndërkohë që në tokën europiane është ndezur një luftë”– nisi ajo fjalimin e saj.
Kjo, sipas saj, nuk është vetëm një luftë e nisur nga Rusia kundër Ukrainës, por edhe kundër energjisë, ekonomisë sonë, vlerave tona, të ardhmes sonë.
“Është autokraci kundër demokracisë,” tha ajo, “dhe unë qëndroj këtu me besimin se, me guxim dhe solidaritet, Putini do të dështojë dhe Europa do të triumfojë.”
Lidhur me krizën energjetike, e cila ishte një temë qendrore e seancës plenare, ai theksoi se rezervat e gazit natyror të BE-së mund të të jetë në 84%, dhe vetëm 9% e importeve të gazit natyror tani janë nga Rusia (vitin e kaluar ishte 40%), por nuk mjafton.
“Rusia vazhdon të manipulojë tregun e energjisë,” vuri në dukje ajo; “ky treg nuk funksionon më.”
Disa nga masat emergjente dhe të përkohshme që ajo përmendi përfshinin reduktimin e konsumit të energjisë elektrike nga shtetet anëtare, reduktimin e përdorimit të energjisë në orët e pikut dhe kufizimin e fitimeve të kompanive të energjisë me kosto të ulët – një propozim që ajo tha se do të gjeneronte më shumë se 140 miliardë euro në shtetet anëtare, ndërkohë që shpalli edhe një tarifë solidariteti për prodhuesit e lëndëve djegëse fosile.
“Duhet të bëjmë një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të tregut të energjisë elektrike”, tha ajo, duke njoftuar krijimin e Bankës Europiane të Hidrogjenit, e cila do të investojë 3 miliardë euro në tregun e hidrogjenit.
E veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, ajo vlerësoi ukrainasit për guximin e tyre. Megjithëse ajo e bëri të qartë se sanksionet kundër Rusisë – “sanksionet më të ashpra të vendosura ndonjëherë në botë” – do të mbeten në fuqi dhe nënvizoi ndikimin e tyre.
Ajo njoftoi se 100 milionë euro do të jepen për rindërtimin e shkollave dhe se Ukraina do t’i bashkohet tregut të vetëm të BE-së.
Duke iu referuar qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ajo tha: “Ju jeni anëtarë të familjes sonë, e ardhmja juaj është në Unionin tonë dhe Unioni ynë nuk është i plotë pa ju”.
/abcnews.al