BE më 12 korrik nis bisedimet me Kosovën e Serbinë

schedule12:31 - 6 Korrik, 2020

schedule 12:31 - 6 Korrik, 2020

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen në raundin e ri të bisedimeve. Ndërkohë pritet që me 10 korrik presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel të zhvillojnë një samit, me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron. Ndërkohë nga autoritetet në Ksoovë akoma nuk ka një konfirmim se cili do të jetë përfaqësues në këtë samit, kryeministri Hoti apo presidenti, Hashim Thaçi.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.

Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!