BE masa shtesë kundër Rusisë: Blihen armë për t’u dërguar në Ukrainë, shtohen sanksionet për Kremlinin

schedule17:52 - 27 Shkurt, 2022

schedule 17:52 - 27 Shkurt, 2022

Bashkimi Evropian ka bërë publike të dielën pasdite masa të tjera ndëshkuese për Rusinë ndërsa u njoftua gjithashtu se blloku po financon blerje armësh të cilat do të dërgohen në Ukrainë. Lajmin e bëri të ditur në një konferencë për mediat Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kjo është hera e parë që blloku financon mbështetje ushtarake për një shtet që ndodhet nën sulm.

Von der Leyen njoftoi gjithashtu se transmetimi i mediave shtetërore Russia Today dhe Sputnik do të ndalohet në BE.

 “Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe ukrainasit luftojnë me guxim për vendin e tyre, Bashkimi Evropian rrit edhe një herë mbështetjen e tij për Ukrainën dhe sanksionet kundër agresorit – Rusisë së Putinit.”

Presidentja e KE bëri po ashtu të ditur se hapësira ajrore e BE-së do të mbyllet për avionët me  pronësi ruse, të regjistruara ose të kontrolluara nga Rusia. Ata nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Nga rregulli nuk përjashton as avionët privatë të oligarkëve të vendit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!