BE kundër rregullave të reja të Kuvendit për mediat, Franca: Le të mbështesim lirinë e shtypit

schedule20:11 - 9 Qershor, 2021

schedule 20:11 - 9 Qershor, 2021

Ambasadorja e Francës në Tiranë, Elisabeth Barsacq ka mbështetur qëndrimin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me rregullat e reja të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë për praninë e medias.

Në një postim në Twitter, Barsacq bën thirrje për të mbështetur lirinë e medias. Diplomatja franceze shprehet se liria e shtypit është baza e të gjitha lirive të tjera, “me anë të kësaj ne ndriçojmë reciprokisht veten.”

Më herët gjatë të mërkurës, BE me anë të një reagimi në Twtter solli në vëmendje se dëgjesat publike dhe aksesi i mediave në parlament është tipar i rëndësishëm i një demokracie liberale.

Gjithashtu, delegacioni i BE hodhi poshtë versionin e mbajtur nga Kuvendi i Shqipërisë se rregullat e reja nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së apo të këshillave të vëna në dispozicion nga Instrumenti për Asistencë Para-Anëtarësimit.

Kuvendi i Shqipërisë më herët gjatë ditës së sotme,  me anë të një njoftimi informoi palët e interesuara se projekti i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare në 2014, dhe me miratimin e paketës IPA 2014, përfshihet edhe mbështetja financiare për instalimin e sistemit të ri  audio-video.

“Projekti i sistemit i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare më datën 27 Maj 2014 dhe i është prezantuar nga Kuvendi përfaqësuesve të BE-së në dy takimet e zhvilluara më datat 28 maj dhe 3 qershor 2014. Më datën 17 dhjetor 2014, Komisioni Europian miratoi paketën IPA 2014 për Shqipërinë,  e cila përfshin edhe mbështetjen financiare për Kuvendin për instalimin e sistemit të ri  audio-video.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!