BE-ja konfirmon agjendën e takimit të 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiçit

schedule13:24 - 28 Prill, 2023

schedule 13:24 - 28 Prill, 2023

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, shkruan REL.

Stano nuk deshi të komentojë kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se ne nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që ata të përqendrohen në zbatimin e obligimeve që kanë para tyre. Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, që është platforma e vetme për diskutim”, tha Stano.

Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!