BE-ja diskuton sot për dialogun Kosovë-Serbi, helmimin e Navalnyt dhe Bjellorusinë

schedule09:18 - 12 Tetor, 2020

schedule 09:18 - 12 Tetor, 2020

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen ditën e sotme për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situatën në Bjellorusi.

I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.

Ndërsa, në lidhje me helmimin e Navalnyt, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok, raporton ReL.

Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.

Është e paqartë nëse ministrat e jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme. Navalny u sëmur në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome. Dy ditë më vonë, ai u transferua në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë gjithashtu përgjigjen e bllokut ndaj zhvillimeve në Bjellorusi, duke përfshirë sanksionet e mundshme ndaj Alyaksandr Lukashenkas dhe individëve të tjerë./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!