BE-ja bie dakord për ndalimin e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022

schedule18:13 - 31 Maj, 2022

schedule 18:13 - 31 Maj, 2022

Udhëheqësit e BE-së kanë njoftuar se do të bllokojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022 për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Ndalimi në mbarë BE-në do të prekë naftën që arrin nga deti, rreth dy të tretat e importeve por jo naftën e tubacionit, pas kundërshtimit nga Hungaria.

Polonia dhe Gjermania janë zotuar gjithashtu t’i japin fund importeve të tubacioneve, që do të thotë se një total prej 90% të naftës ruse do të bllokohet.

Rusia aktualisht furnizon 27% të naftës së importuar të BE-së dhe 40% të gazit.

Lexo edhe: Embargoja e BE-së ndaj Rusisë, rriten sërish çmimet e naftës

BE-ja i paguan Rusisë rreth 400 miliardë euro në vit në këmbim të karburantit, raporton abcnews.al.

Deri më tani, nuk janë vendosur sanksione për eksportet e gazit rus në BE, megjithëse planet për të hapur një tubacion të ri gazi nga Rusia në Gjermani janë ngrirë.

Mbretëria e Bashkuar e cila merr 8% të nevojave të saj për naftë nga Rusia është zotuar të heqë gradualisht naftën ruse deri në fund të vitit.

Çmimet e naftës kanë arritur nivele të reja pasi liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord për ndalimin e importit të naftës ruse mbrëmë. Nafta e papërpunuar Brent u rrit mbi 123 dollarë për fuçi të martën, më e larta që ka qenë për dy muaj.

Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur në muajt e fundit, të nxitura pjesërisht nga lufta në Ukrainë. Nafta e papërpunuar Brent është rritur më shumë se 70% gjatë vitit të kaluar.

Çmimet e naftës u rritën sërish pas lajmeve për embargon e fundit të BE-së, shkruan BBC.

Russ Mould, drejtor investimesh në AJ Bell, tha se çmimet po rriteshin sepse vendet evropiane tani duhet të gjejnë burime alternative të furnizimit.

Ndërkohë, rritja e kostos së jetesës kërcënon të pakësojë oreksin e disa vendeve të BE-së për sanksione të mëtejshme, të cilat mund të dëmtojnë gjithashtu ekonomitë e tyre./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!