BE investim për mbrojtjen, paketë prej 500 milionë euro për prodhimin e municioneve

schedule15:29 - 17 Mars, 2024

schedule 15:29 - 17 Mars, 2024

Komisioni Evropian ndan 500 milionë euro për të rritur prodhimin e municioneve, nga një total prej 2 miliardë eurosh që do të përdoren për të forcuar industrinë e mbrojtjes së unionit.

Në një deklaratë zyrtare, Brukseli njoftoi se shuma e parave të ndara sipas Aktit për Mbështetjen e Prodhimit të Municioneve, pritet të dyfishojnë kapacitetin aktual të prodhimit të municioneve në 2 milionë predha në vit deri në fund të vitit 2025.

Në këtë program, u zgjodhën 31 projekte për të ndihmuar industrinë evropiane në rritjen e prodhimit dhe gatishmërisë së saj të municionit, duke përfshirë eksplozivët, pluhurin, predha, raketat dhe certifikimin e testimit.

“ASAP” u miratua në korrik të vitit të kaluar për të rritur kapacitetin evropian të municionit dhe për të ndihmuar vendet anëtare të rimbushen dhe furnizojnë me municione Ukrainën duke parashikuar pengesat dhe mungesat në zinxhirin e furnizimit të mbrojtjes.

Fondet e shpallura përfshijnë gjithashtu 310 milionë euro për përforcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes përmes prokurimit të përbashkët, i cili synon të stimulojë aftësinë e shteteve anëtare për të blerë bashkërisht produkte të mbrojtjes.

Po ashtu 1.1 miliardë euro pritet të jepen për programin e katërt vjetor të punës së Fondit Evropian të Mbrojtjes për të promovuar projektet e kërkimit dhe zhvillimit të mbrojtjes të BE-së.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!