Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi thotë se Bashkimi Evropian po mendon për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi Komisioni Evropian miratoi një dokument për reformat brenda unionit para zgjerimit të bllokut 27-anëtarësh.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Krisafi u shpreh se vendet mund të bëhen pjesë e një tregu të përbashkët ekonomik.
Lidhur me faktin se me miratimin e këtij dokumenti, mund të bjerë vetoja e Greqisë ndaj Shqipërisë, Krisafi nënvizoi se kjo kërkon interpretim juridik.
“Pak a shumë kemi shkuar te ideja e Francës dhe Macron që kërkonin reformim të Bashkimit Evropian, thelbi është që një Bashkim Evropian me 36 vende nuk mund të funksonojë njësoj si më 27 vende sot. Ajo që Macron kërkonte ishte një reformim i Bashkimit Evropian që të bëhet më i lehtë për të absorbuar anëtarë të rinj. Nuk mund të themi që e ngadalëson procesin, procesi është vetë i ngadaltë. Macron kishte vite që mundohej ta copëzonte procesin. Secili vend do të llogaritet veçmas, pasi flitej se Ballkani Perëndimor mund të ishte në bllok. Në fund të fundit, mund të jetë vendim politik, ndoshta vendet nuk do të jenë gati, por Bashkimi Evropian mund të marrë vendim politik. Secili vend do të jetë gati në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian. Është një proces që mund ta ngadalësojë. Secili vend duhet ta vërtetojë në praktikë se ka zbatuar ato ligje që ka miratuar.
Në dokument përmendet disa herë integrimi pjesë pjesë. Nuk ka lidhje se ky lloj integrimi mund të bëjë që shqiptarët të jenë pjesë në Schengen. Ndoshta vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkë me Ukrainën dhe Moldavionë, duke parë se nuk janë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke i bërë hap pas hapi pjesë në Bashkimin Evropian, është si të jesh në tavolinë, por pa të drejtë vote. Është një lloj integrimi gradual, ideja e Macronit. Hendeku është shumë i madh. Mund të bëhesh pjesë e tregut të përbashkët evropian.
Duhet të jemi të kujdesshëm. Në dokument kishte dy paragrafe, ishin në gjuhë të ndërlikuar, kërkon interpretim juridik. Heqoja e vetos lidhet me vendimet e jashtme dhe të sigurisë, zgjerimi nuk është pjesë e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Nuk mendoj se lidhet drejtpërdejt me zgjerimin. Në dy paragrafet, nuk përmendet zgjerimi. Lidhet me çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian”, theksoi ai./abcnews.al